lundi 21 décembre 2009

Nuk e kam kritikuar Kanunin por i kam bërë analizë kritike

*

7. Nuk e kam kritikuar Kanunin por i kam bërë analizë kritike

Ky është shkrimi i shtatë dhe i fundit i analizës sime kritike ndaj Kanunit. Siç jam shprehur që në fillim, interesi im është të dalë në sheh se a merret Kanuni si pretekst për të nxitur konflikte dhe se a e favorizon ajo vepër (folklor ose ligje) psikologjine e konflikteve të gjakmarrjes.

Ideja për një analizë të tillë më ka lindur kur xhahxhai i babait tim e mori Kanunin si pretekst për të nxjerrë në sipërfaqe një gjakmarrje nga një konflikt i vjetër.

Në çdo shkrim jam referuar në paragrafet e Kanunit dhe e kam dhënë adresën ku e kam botuar Kanunin në mënyrë që lexuesi të mund të vërtetojë atë që them. Edhe tani e jap të njëjtën adresë: http://www.kanuniilekedukagjinit.blogspot.com

Meqë jemi ende në këtë temë, t’i shohim edhe disa paragrafe të Kanunit:

§.887. Çmimi i jetës së nierit âsht nji, si per të mirin si edhè per të keqin.

Këtu askush nuk mund të thotë se vrasësi, për shembëll, nuk i ka pasur të gjitha kapacitetet të mendojë apo ka qenë i çmendur. Edhe po të jetë i tillë, familja prap bie në gjak.

§.911. Po erdh kush me m'i dhânë zjarré shpis, a ksollës, a tbanit, un e prita edhè e vrava, î karn gjakun.

§.915. Të hypi kush në qafé, edhèpse jânë dy duer per nji krye, po e vrave, i ké gjakun.

Këto dy paragrafe i ngjajnë njëri tjetrit. Sipas Kanunit, nuk ka vrasje në vetëmbrojtje. Patjetër, çdo vrasje duhet të shpie në gjakmarrje.

§.946. Po hîni kush në shpi të kuej e, porsà t'a vjerrë pushken në krrabë, i kputet rrypi, shkrepë pushka edhè vret ndonji të shpis a kedo, i zoti i pushkës bien në gjak.

Këtu kuptohet qartë se, sipas Kanunit, nuk ka vrasje aksidentale. Çdo konflikt e ka si qëllim ultim gjakmarrjen.

Në një shoqëri normale bashkohore, në rastet që kodifikojnë këto 4 paragrafe, dënimet ulen sepse vrasja është bërë nga një njeri i çmendur, në vetëmbrojtje apo aksidentalisht. Nuk mund të thuhet se Kanuni i ka bërë kodifikimet e mësipërme për të parandaluar vrasjen. Mjafton të shikohet tërësia e veprës dhe të konstatohet se nxitja e konfliktit ndodhet gjithkund në Kanun, jovetëm në rastë spektakulare për të cilat kam folur ne shkrimet e mëparshme por edhe aty ku dyshohet më së paku. T’i shohim disa raste të tilla:

Besa, e nxit konfliktin. Sipas mentalitetit kanunor është negative të mos i besosh dikujt dhe kjo gjë e zbeh idenë e masave preventive të konfliktit. Për shembëll, në ditët tona, i jepni dikujt në besë, apo ia huazoni, një shumë të hollash. Huamarrësi mund të mendojë se në një të ardhme të afërt do të ketë të holla, siç dëshiron të ketë çdokush. Vjen vadja, pritet besa, fillon konflikti. Kështu ka ndodhur tradicionalisht, kështu ndodh edhe sot. Pra, po nuk deshët që dikush t’ju presë në besë mos i besoni. Kanuni nuk ka forcë ligjore sot dhe nuk është i novojshëm të respektohet në dëm të interesave tuaja. Jipni adresën e bankës atij që ju kërkon të holla hua! Banka, për shembëll, i ka kriteret e veta të analizës... e tjera.

Barjta e armëve ka favorizuar dhe e favorizon konfliktin edhe sot. Nuk është e nevojshme të jetë njeriu gjeni për ta kuptuar një gjë të tillë. Shikoni këtë :

§.1114. Burrat e dheut në kuvend rriin t'armatisun.

Sot deputetët e trojeve shqiptare nuk shkojnë në kuvent të armatosur (sa keq që nuk respektohet tradita !) por ndoshta keni parë edhe ju si unë disa qyrrana në dasmë apo në vende tjera publike që kanë dëshirë të tregojnë sheshit armën e zjarrit dhe shtënë pa menduar se zhurma e armës është e pakëndshme për veshët, se mund të plagoset apo ta vrahet dikush.

Në një shoqëri të civilizuar, menjehërë të pranishmit do ta fotografonin qyrranin dhe do të vinte policia sikur ta kishte dërguar Zoti. Qyrrani i armatosur nuk do ta dinte fare se kush e ka denoncuar. Fundi i fundit, të gjithë të pranishmit në tubim do ta kallëzonin.

Në shoqërinë tonë, ende nuk është zhvilluar refleksi që qyrrani i armatosur të kallëzohet në polici spontanisht edhepse nuk jemi shumë mbrapa në fushën e telefonave celularë me aparat fotografik të integruar në të. Mendoj se refleksi i denoncimit duhet të zhvillohet në të mirë të mirëqenies së shoqërisë.

Së paku, herën e ardhshme, kur të shihni një qyrran i cili mburret me armën e tij në dasmë apo në një tubim tjetër publik, e dini ku e ka burimin apo traditën fenomeni i tillë: në paragrafin 1114 të Kanunit i cili posa u citua.

Mikpritja nxit frustracione në familje që mund të çojë dhe në konflikt. Në fillim të studimeve në Amerikë, më duhej të shkoja në shtëpinë e dikujt për të marrë diçka. Si ma hapi derën amerikani, unë isha i programuar nga psikologjia e Kanunit të futesha brenda. I zoti i shtëpisë nuk ma lëshoi rrugën në prag të derës por ma dha atë që duhej t’ma jipte dhe më përshëndeti sjellshëm e krejt normalisht para se ta mbyllte derën e të vazhdonte aktivitetin me familjen e tij, punën e tij, të bënte dashuri apo gjithçka tjetër me interesante për të sesa t’më priste mua.

Në botën e Kanunit, deshët s’deshët, egziston presioni që ta fusni brenda atë që vjen te dera e t’i jipni ushqim edhe nëse nuk keni mjaft për fëmijët tuaj. Pastaj, miku ka të drejtë të gjykojë në mënyrë legjitime, sipas Kanunit, se a e keni pritur mirë apo jo. Në raste të tilla, nuk ju shkon mendja ta vrisni mikun me gjithë Kanunin që vjen në shtëpi pa e ftuar dhe ju pengon rehatinë dhe lumturinë famljare? Tregojeni të vërtetën! Nganjëherë, vrasja vjen nga ideja e vrasjes, siç ndërtohet godina më e madhe nga një ide e ndërtimit të godinës më të madhe.

Në të njëjtën mënyrë, manipulimet psikologjike si burrëria, trimeria, krenaria… e nxisin konfliktin. Kanuni i ngrit aq lart këto gjëra (cilësi apo të meta) deri në shenjtërim saqë mendja e pazgjuar nuk ka as më të voglin dyshim se janë elemente të nxitjes së konfliktit.

Bëhet pyetja: Pse e bën Kanuni këtë gjë?

Për të dhënë përgjigen nuk do të referohemi në romanin “Prilli i thyer” ku thuhet se një ditë pa vrasje ishte ditë varfërie për kullën e Oroshit, por përgjigjen do ta gjejmë në Kanun:

§.957. Per çdo vrasë: 6 qese per gjak, 100 desh e 1 kà giobë Flamurit e 500 grosh derës së Giomarkut t'Oroshit (per Mirditë).

Një bashkatdhetare universitare, pasiqë e kishte lexuar artikullin tim të katërt (Kanuni...i Lekë Dukagjinit ?!) ku analizoj fjalët “kafe”, “duhan” e “pushkë” si argumente se Kanuni nuk është i Lekë Dukagjinit, më sugjeroi në një shkrim në adresën time personale, se meqë shqiptarët e ngrisin lart kultin e personit duhej kritikuar Dera e Gjonmarkajve të Oroshit e cila dikur e ka kontrolluar Kanunin. Sipas saj, po t’i dinin shqiptarët dhe ndërkombëtarët dy gjëra do të zbehej Kanuni dhe nuk do të vriste më shqiptarë. Së pari, gjoja se Gjon Markagjoni e paska krijuar Republikën e Mirëditës me ndihmën e jugosllavëve në dëm të interesave kombëtare; së dyti, gjoja se ky i fundit paska qenë komandant SS, do të thotë komandant nazist.

Menjëherë i thashë në përgjigje se unë nuk merrem me gjëra të tilla. Përlyerja e imazhit të individëve, as nuk ka qenë as nuk do të jetë kurrë pjesë e analizës sime. Sipas meje, kritikat e tilla drejtuar ndyerjes së imazhit të personave dhe të familjeve janë të nivelit të ulët dhe nuk ndreqin asgjë. Kulla e Oroshit apo Dera e Gjonmarkajve nuk ka në ditët tona asnjë fuqi egzekutive dhe si e tillë ajo familje nuk mund të zihet në gojë për të keq kur bëhet fjalë për gjakmarrjet që ndodhin në ditët e sotme në trojet shqiptare.

Në të kundërtën, ma merr mendja se Kanuni si i tillë ka fuqi reference. Është legjitime që kur një shtetas e vëren një fenomen shoqëror siç është bartja e armëve apo gjakmarrja, të përpiqet të gjejë burimin e një mentaliteti të tillë me qëllim fenomenet e tila të eliminohen më lehtë e më shpejt nga shoqëria.

Siç e kam thënë në shkrimet e mëparshme, kur xhahai i babait tim e deklaroi gjakmarrjen, e lexova me kujdes Kanunin. Paragrafi i cili më ka destabilizuar dhe më destabilizon më së shumëti në Kanun, duke e lidhur me rastin konkret të familjes, është ky që vijon.

§.967. Kpucët a opangat e shkuesit perbahen prej 500 groshësh.

Ketë paragraf e kam cituar tashmë në shkrimin tim paraprak. Mendoj se ndërhyrësit nuk mund të jenë askush tjetër përveç policia, gykata, psikologër, kriminalistët... Ndërhyrësit e jashtëm mund të pranohen vetëm ata të tipit apo të nivelit të Anton Çetës i cili ka bërë pajtime masive të gjaqeve (pa interes monetar) në Kosovë.

Besoj se është i nevojshëm një ligj bashkohor ku dhënia e të hollave për gjakmarrje nga shtëpia e vrasësit, përcjellja e të hollave për gjakmarrje nga ndërmjetësuesit apo marrja e të hollave për gjakmarrje nga shtëpia e të vrarit të dënohen në të njëjtin nivel si trafikimi me qenie njerëzore. Ndoshta, nervi i gjakmarrjes nuk është nderi port të hollat...

I lë të hapura pyetjet që vijojnë dhe mendoj se nuk meritojnë përgjigje naive: Cili është roli i ndërmjetesuesve apo pajtimtarëve në gjakmarjen e ditëve tona? A kanë ata interesa direkte apo indirekte monetare? A është në interesin e tyre që të vazhdozhdojë apo të çrrjënjoset gjakmarrja?

Shoqëria shqiptarë është e shkolluar. Në ditët tona, nuk merren më si ligje thëniet e pleqve nëpër oda, qofshin ata prindër apo të afërm. Të rralla janë ato familje në trojet shqiptare që nuk kanë dikënd sadopak të shkolluar. Vetë fakti apo gjesti i shkuarjes në shkollë është argument kundër psikologjisë së vjetër. Edhe pleqtë analfabetë e dinë se kur shkon dikush në shkollë, ai e bën atë mundim për të mësuar diçka që nuk mësohet në odë apo në një dhomë tjetër të shtëpisë. Jam shumë optimist se shumë shpejt vetëdijësimi dhe shkollimi i masave të gjera të popullit do të sjell stabilitet në trojet shqiptare qoftë në aspektin shoqëror apo në atë ekonomik.

Meqë ra fjala te ekonomia, kur po përgatitesha të shkoja për studime në Amerikë e takova një mik, malësor si unë, i cili posa kthehej në Shqipëri nga Evropa Perëndimore ku kishte mbaruar studimet në bujqësi. I entuziasmuar me ide të reja për shoqërinë shqiptare më tha se se jo vetëm që ishte i kënaqur dhe krenar me diplomën që e kishte marrë por edhe se kishte mësuar kush ka qenë Parmentier.

Në fillim nuk më bëri përshtypje ajo që më tha por më vonë e mësova se çka donte të thoshte.

Me t’u kthyer në atdhe, paralelisht punës në një shoqëri shtetërore, miku im e ka hapur si aneks të shtëpisë në një dhomë të errët. Që në pranverën e parë ka mblellur patate në gjysmën e një are ku tradicionalisht mbillej gruri e nganjëherë edhe misri . Gjysma a arës i ka dhënë dhjetëra herë në sasi më shumë patate se që do i jepte e tërë ara grurë. I ka futur patatet nëpër kuti druri apo në thasë dhe i ka vendosur nëpër rafte (disa dërrasa të thjeshta) në dhomën e errët. Familja ka konsumuar patate si ushqim kryesor tërë vitin dhe pjesën tjetër e ka shitur duke fituar më shumë se rroga me diplomë universiteti, pa llogaritur këtu kursimet e familjes për ushqim. Dihet se harxhimi më i madh i familjes shqiptare, sidomos në Malësinë time, është ushqimi.

Fqinjtë dhe rrethi në fillim mendonin se familja në fjalë e kishte ndryshuar gjendjen ekonomike sepse e kisshte pasur një djalë në botën e jashtme. Shpejt e kanë kuptuar të gjithë se djali i familjes nuk ka qenë në botën e jashtme për të holla por për të studjuar. Ajo që i ka ndryshuar familjes gjendjen ekonomike (e padyshim edhe atë sociale) është mësimi që ka marrë gjatë studimeve. Nga ai mësim është duke përfituar sot tërë fshati. Gradualisht, shpresoj se do të përfitojë edhe rrethi me i gjerë deri te kombi mbarë.

I bindur se kjo përvojë është e dobishme për publikun shqiptar, i thashë miku në fjalë që të shkruante për për idenë që e kishte trashëguar nga monsieur Parmentier. Meqë mikut tim nuk i pëlqen të shkruajë (as unë nuk e dija se më pëlqente të shkruaja para se ta bëja analizën time kritike të Kanunit) vendosa ta hapja një sajt në adresën http://parmentiershqiptar.blogspot.com ku kam vendosur tashmë disa fotografi patatesh e ushqimesh me patate. Që sot do ta filloj një shkrim i cili do ta mbajë titullin: A na duhet një Parmentier shqiptar?

jeudi 17 décembre 2009

Si duhej ta vrisja Ilirin sipas Kanunit

*
6. Si duhej ta vrisja Ilirin sipas Kanunit


Meqë i përkisja një familjeje e cila në bazë të Kanunit duhej të mirrte gjak për të larë nderin, duhej së paku të dija se si të veproja për të kryer detyrën time. Në të vërtetë, këtë ide sarkastike e kam formuluar shpesh në kokë dhe e kam diskutuar me bashkëshorten time Sofien.

Duke e lexuar Kanunin e gjeta kodifikimin e etapave të kryerjes së aktit “të ndershëm” të cilat po i vendos këtu me paragrafe ligjesh duke ua shtuar nga një koment lidhur me rastin tim personal. Të fillojmë:

§.837. Aj, qi dàn me dalë në pritë, do të mârrë bukë me vedi si edhè per simahorë.

Simahori është bashkëpunëtori apo ai që e ndihmon vrasësin në realizimin e nderit të Kanunit: vrasjen. A e shihni se si Kanuni (edhepse një libër i vogël) kodifikon hollësira që kode të tjera disa herë më të madha i lënë anash?

Personalisht, ky paragraf ligji më sugjeron të lë punën dhe gruan e të shkoj t’i dal në pritë, për ta vrarë, një fëmije të pafajshëm.

I mbyllur gjatë kohë, një ditë, Iliri do ta marrë guximin të dalë, i veshur me rrobat e një nga motrave të tij apo ndryshe. Unë i dal përpara, e paralajmëroj sipas Kanunit dhe e qëlloj në ballë. Çfarë vrasje e mirë! Krenohem me gjestin tim. Jam burrë i vërtetë i Malësisë.

Tani vjen etapa tjetër:

§.845. Dorërasi do të çojë me lypë besë.

Vetëm pak! Para se të çoj burrat e dheut për të kërkuar besë, nuk duhet harroj një gjest tjetër që parashihet në paragrafin që vijon:

§.846. Dorërasi, po muejt vetë me e sjllë marë te vramin, mire; perndryshej mbe kedo, qi të ndeshet, do t’i thotë qi të shkojë me e sjellë marë e armen me i a pshtetë tê kryet.

E vrava çunin për të nderuar Kanunin. Tani duhet ta kthej kufomën mbrarë. Shikoni si ka respekt kanuni ndaj të vdekurit! U bë kjo punë. U kthye kufoma mbarë.

Tani të kthehemi te besa. “Besa” si fjalë tingëllon bukur në shqip. Shumë emra vajzash quhen Besa. Shumë intelektualë shqiptarë e mburrin popullin e tyre me atë çka shpreh ajo fjalë. Sa keq që popujt tjerë nuk kanë një gjë të tillë! Sa keq që nuk e dinë se çka humbin! Madje ajo fjalë në gjuhët tjera shqippohet “besa” si në shqip sepse nuk mund të përkthehet në gjuhë tjera. Nuk ka ekivalent! Besa është ajo që na dallon në botë si popull.

Të shohim pra se çka thotë Kanuni në paragrafin 854 për këtë fjalë të shenjtë e autentike që na nderon aq shumë:

§.854. “Besa âsht nji vade lirije e sigurimi, qi shpija e të vramit i ep dorërasit e shpijarvet të tij, tuj mos i ndjekë per gjak perkohsîsht e mjé në vade të caktueme.”

(Në të vërtetë, pak para leximit të Kanunit, e kisha kuptuar më në thellësi kuptimin e fjalës “besë”. Kur iu mbush mendja xhaxhait të babait tim se djali i familjes së fqiut i kishte mbushur vjetët për t’u vrarë, e shqiptoi këtë fjalë të shenjtë të Kanunit. E gjeti një ndërhyrës të nivelit të tij dhe ia dërgoi në shtëpi çunit për t’i thënë se kishte një muaj besë. Pas një muaji, po të dilte nga shtëpia, do të vritej për gabimin që ka bërë gjyshi i tij. Kanuni i mundësonte xhaxhait të babait tim ta kishte në dorë jetën e tjetrit, ta lejonte të dilte apo ta detyronte të mbyllej. A e shihni se si u jep Kanuni fuqinë që e ka vetëm Zoti njerëzve si xhaxhai i babait tim?)

Pas këtij shpjegimi në kllapa po kthehem në radhën e ngjarjes. E vrava Ilirin, e ktheva mbarë, çova një burrë për besë, mora besë...

Vazhdoj ta ndjek recetën e Kanunit:

§.856. Shpija e të vramit, po i dha besë dorërasit, ky edhèpse e vrau, do të shkojë në mort e në gjâmë me percjellë të vramin deri në vorrim e me ndêjë per drekë. Kio besë ngjatë 24 orë.

E marr pushkën me të cilën e vrava Ilirin dhe shkoj në varrim. Pas varrimit qëndroj për drekë. Nuk kanë rëndësi dhimbjet e familjes. Rëndësi ka të ndiqen rregullat e Kaunit të shenjtë pa të cilin nuk mund të jemi shqiptarë. Këtë gjë e kupton nëna e Ilirit e cila e varros të birin. Duke më shikuar s’ka se si të mos thotë me vetë : “Vetëm të na rrojë Kanuni !”

Kam qenë shok shkollë me motrën e madhe të Ilirit. Ajo më përshëndet gjatë ceremonisë, ma prezanton burrin dhe fëmijët. E përkujtojmë kohën kur kemi qenë bashkë në një klasë. Më informon se Iliri ka qenë i ulur në të njëjtën bankë në të cilën ulesha unë. Po të mos e kisha vrarë, Iliri do të kishte mundur të ma rrëfejë vetë atë gjë…

Pas drekës, unë ik. Tani topi kalon në anën tjerër të fushës. Shikojeni paragrafin e Kanunit që vijon:

§.917. Gjaku s'hupë kurr.

Tani, kushërinjtë e Ilirit do të kthehen sepse është koha për të marrë gjak. Tani ata e kanë në dorë jetën a mashkujve të familjes tjetër, do të thotë të famijes sime. Si në rastin e plakut të familjes sime, këtë fuqi aq të madhe që ua ofron atyre Kanuni mund ta ketë vetëm Zoti.

Pasi që e kisha treguar këtë histori disa herë, shoqja ime më tha se e kisha përmendur edhe në endërr emrin e Ilirit dhe kisha bërtitur gjatë ankthit. Më tha gjithashtu se kjo histori më mundonte më shumë se që isha i vetëdijshëm se më mundonte. Vetëm sa nuk më tha se duhej të bëja një terapi. E torturova veten me mendime të tilla si:“Imagjinoni t’i thotë gruaja një malësori të bëjë terapi te psikologu se ka problem me vetëdijen! Kjo gjë nuk ka kuptim për një shqiptar. Shqiptari duhet ta ndjekë Kanunin dhe nuk duhet të ketë frikë se gabon!”

Fillova të mendoj seriozisht dhe u binda se ajo që më mundonte ishte me të vërtetë fajësia që ndjeja. E ndjeja veten fajtor pse nuk bëja diçka që fëmija i mbyllur të mund të shkonte në shkollë.

Një ditë mu mbush mendja dhe e kontaktova shoqen time të shkollës, motren e Ilirit që jeton në një qytet të Evropës Perëndimore. Në fillim ajo u shokua dhe gati sa ma mbylli telefonin në hundë. Unë e kisha paraparë një skenar të tillë dhe isha i përgatitur. Kërkova të flas me burrin e saj me të cilin arrita të dal i njohur përmes disa shokëve. Kështu e rregullova kontaktin. Ky gjest me hoqi gjysmën e fajësisë e cila më peshonte shumë rëndë.

Po atë ditë, Sofia ma dha një ide gjenie. Propozoi t’i blenim Ilirit së bashku një kompjuter dhe ta parapaguanim lidhjen në Internet për një vit. Pasi e tha këtë mendim shtoi duke buzëqeshur:
- Kështu Iliri do të jetojë ndërkohë jetën që e endërrojnë të gjithë çunat e Botës Perëndimore dhe demokratike. Të mos shkojë në shkollë dhe të lundrojë ditë e natë në Internet...!

Qetësia shpirtërore që më përshkoi trupin pas ndërmarrjes së gjestit tim pak më konkret kundër gjakmarrjes, mënyra se si e tha Sofia fjalinë e saj me humorin, zemërgjerësinë dhe humanizmin e saj…të gjitha së bashku se çmë nxitën një të qeshur! Kam qeshur disa minuta si budalla. Kam qeshur me lotë! Më duket se e kam kompensuar gjithë të qeshurën që nuk e kam bërë që nga deklarimi i gjakmarrjes nga familja ime.

Dhurata në fjalë u realizua. Kjo gjë më bëri të mundur të lidhesha me Ilirin përmes Internetit. Bisedoja me të rregullisht. Ndërsa, në anën tjetër, nuk flisja me askënd nga familja ime në shenjë proteste kundër psikologjisë skllavëruese të Kanunit me të cilën mashkujt e familjes sime e robëronin një familje fqinje të pambrojtur.

Pas disa muajve, ndodhi një vdekje me vend në familjen time. Ndodhi një vdekje siç duhej të ndodhte. Ndodhi një vdekje natyrale nga pleqëria që nuk la konflikt. Xhaxhai i babait tim vdiq. Atë ditë gjithë populli shqiptar u bë pak më i mirë, më human, më evropian, më demokratik. Të gjitha trojet shqiptare morën frymë pak më lirshëm.

Siç e kam përmendur që në fillim të shkrimeve të mia (në profil) kur jam prezantuar, babai im të cilit i erdhi radha të ishte burri më i vjetër i familjes së gjerë ka shkuar me dy policë, dy burra të rregullit, tek shtëpia e Ilirit dhe e ka mbyllur përghithmonë konfliktin e gjakmarrjes në mënyrë që çuni i pafajshëm, Iliri, të mund të shkojë në shkollë.

Gjesti i babait tim më bën optimist sa i përket çrrënjosjes së gjakmarrjes nga mentaliteti shqiptar. Dihet se gjakmarrja ka pushuar në Shqipëri për disa decenie gjatë diktaturës komuniste dhe ky fakt mund të na ndihmojë të konkludojmë se kjo është gjë e arritshme edhe në sitemin demokratik. Nuk jemi njerës aq të prapambetur në aspektin e vetëdijës që të bëjmë diçka njerëzore vetëm kur jemi nën presionin maksimal!

Në kohën e sotme, mendoj se njerëzit e shkolluar të familjes duhet të bëjnë presionin e nevojshëm mbi nxitësit e krimit, dhe t’i kallëzojnë ata. Gjithashtu, nuk duhet lejuar nën asnjë pretekst që ndërhyrësit jokompetentë të cilët e kanë gjakmarrjen si lëndë të parë të biznesit të tyre t’i dublojnë apo t’i zëvendësojnë atotoritetet kompetente shtetërore.

Për të vërtetuar saktësinë e citateve të Kanunit në këtë shkrim, shkoni në adressën : http://kanuniilekedukagjinit.blogspot.com Aty do ta gjeni botimin origjinnal të Kanunit me parathënien e At Gjergj Fishtës.

samedi 12 décembre 2009

Alergjia ime ndaj dasmës së Kanunit

*
5. Alergjia ime ndaj dasmës së Kanunit

E kam lënë familjen për të shkuar në Kanada sepse nuk doja të përfshihesha në gjakmarrje. Sapo u ktheva në Shqipëri nga studimet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës u paraqit ky konflikt. Nuk desha të bija në të njëjtin nivel me xhaxhain e babait tim analfabet i cili referohej në Kanun, të cilin as që e kishte lexuar sepse s’dinte të lexonte. Nuk doja të mendoja as të sillesha si një analfabet sepse nuk kisha bërë studime universitare e pasuniversitare për atë punë. Kjo do të ishte humbje kohe, energjie dhe kthim me qindra vite mbrapa. Nuk desha t’i bija në qafë një familjeje krejtësiht të pafajshme dhe të kërcënoja me vdekje një çun të ri, ende fëmijë, krejtësisht të pafajshëm.

Kur analfabeti i familjes sime e përmendi Kanunin, unë e lexova atë libër me vëmendje. Pastaj për të përgatitur shkrimet e mia, siç mund ta merrni me mend, e kam lexuar disa herë.

Arrita në Montreal, në Kanada, dhe shkova te shoqja ime Sofia (Sophie Savard) me të cilën kisha studjuar e jetuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në fillim, më shkoi mendja të kërkoja strehim politik. Madje e takova një përkthyes dhe e përktheva një video të një “ kuvendi burrash” ku flitej për gjakmarrjen. Në atë tubim mirrja pjesë. E pata inçizuar më një kamer të fshehtë të vendosur në një stilolaps sipas udhëzimeve të një mikut tim polic në Shqipëri.

Në kohën e inçizimit doja ta denoncoja në polici plakun i cili e nxiste dhunën kundër një të riu i cili sipas ligejve bashkohore ishte ende i mitur. Në të njëjtën kohë doja të kallëzoja ndërhyrësin si përçues të gjakmarrjes.

Shpejt e kuptova se nuk ishte lehtë. Në anën e atij që donte të mirrte gjak dolën në pah interesat që fshiheshin pas nderit. Plaku i familjes sime jipte shenja si kishte fantasmuar tërë jetën në shtëpinë dhe tokën e familjes “kundërshtare”. Përfitimet e ndërmjetësuesit që e mbante petkun e humanitarit ishin gjithashtu vështirë të fshiheshin. Ndërmjetësuesi shpresonte se edhe familja tjetër do ta dërgonte te familja ime dhe të përfitonte në këtë mënyrë nga paragrafi 967 i Kanunit.

§.967. Kpucët a opangat e shkuesit perbahen prej 500 groshësh.

I mata mirë punët dhe rash në përfundim se nëse doja të rregulloja konfliktin në mënyrë bashkohore do të bija në konflikt me ata që kishin interes ta rregullonin atë në mënyrë mesjetare. Isha në konflikt me përfituesit. Pikë!

Nuk kam asgjë kundër fitimit sepse kam studjuar në administrim biznesi. Por nuk doja asnjë përfitim nga biznesi i gjakmarjes. Nuk fitohen të hollat në këtë mënyrë! Gjithçka që fshihej prapa nderit ishte ekstorcioni (marrje me dhunë, grabitje) dhe trafikimi me qënie njerëzore.

I pafuqishëm ta bëja denoncimin apo kallëzimin e lash vendin. Videon për të cilën fola e mora me vete me qëllim që ta paraqisja tek autoritetet e azilit politik.

Kur arrita në Montreal, Sofia më propozoi që të martoheshim duke më informuar se babai i saj mund t’më gjente një punë. Në këtë mënyrë nuk kisha nevojë t’i nënshtohesha gjithë procedurës për të rregulluar qëndrimin si refugjat e cila mund të zgjaste me vite.

U vendos nëmes nesh të martoheshim. Deri këtu gjithçka dukej bukur. Mirëpo kur u fol për martesë, u fol edhe për dasmë. Si u fol për dasmë, menjëherë m’u zgjua alergjia. E ndjeva në organizëm gjithë të keqen që i ka bërë me shekuj ajo praktikë budallaqe popullit tim. Në njërën anë, dasma e ka varfëruar familjen me paramendim. Në anën tjetër, përmes dasmës është nxitur krimi me paramendim. Vetëm kuptimi i fjalës “dasmë.” edhe i shqiptuar në anglisht apo në frëngjisht m’i çonte të vjellat.

I thashë Sofies: - “Nuk bëj dasmë, do të paraqitem refugjat politik!”

Ajo menjëherë mendoi në harxhimet dhe më përkujtoi se kishte studjuar si unë në ekonomi dhe nuk ishte aq budallaqe të futej në borxh për një dasmë as të harxhonte tepricën, po të kishim tepricë.

Mirëpo, alergjia ime ndaj dasmës i kishte rrënjët thëllë. Së pari, e keqja që i ka bërë ajo popullit shqiptar në aspektin ekonomik mund të konstatohet në paragrafin 45 të Kanunit:


§. 45. Per darsem do të gatohen:

a) Kau i darsmes do të qesë 100 okë mish e vjamë;
b) Nji barrë miell kallamoqit;
c) 4 babune grunë – miell grunit;
d) 12 okë sheqer;
e) 8 okë oriz;
f) 4 okë mjalët;
g) 10 okë djathë
h) 2 okë tlyen;
i) 3 okë voj të butë;
j) 70 okë raki.

Këtu paraqes vetëm një pjesë të harxhimeve të detyruara me ligj. Gjatë leximit të Kanunit mund të konstatoni shumë harxhime tjera. Mund ta merrni me mend se sa origjinale, argëtuese, apo artistike-krijuese mund të ketë qenë dasma tradicionale shqiptare kur çdo gjë është e paraparë me ligj. Edhepse një libër i vogël, Kanuni shpjegon hollësira të çuditshme për rregullimin e raporteve shoqërore!

Së dyti, dhe më së shumëti, më pengonte paragrafi 49. Piaka b) aty ku shtihet me pushkë. Ligjet normale të shoqërive normale e parandalojnë krimin. Kanuni e bën të kundërtën. Përveç varfërimit, shikoni se si e favorizon Kanuni konfliktin dhe krimin:

§. 49.Rendi kur do të shkohet në darsem.
a) T’ejten shkojn bijat e nipat;
b) Të Premten mbrama shkojn Thirrca, Strufulleca, Magjatore, Ujatore, Deshtarët, e Krushqit miq. Deshtarët, të mrrijmit n’oborr të dhandrrit, do të qesin ka’i pushkë per krye.
c) Të Shtunden nadje shkojnë Krushqit shokë. Të Shtunden, si të nisen Krushqit, do të therret gjengji i darsmes.

Kjo më kujtoi zanafilën e konflktit të familjes sime. Para shumë vitesh, një i ftuar në dasmë (nuk e di se a ka qenë deshtar apo jo) ka shtënë me pushkë dhe e ka plagosur një anëtar të familjes sime i cili ka vdekur më vonë nga ajo plagë.

Vrasësi edhepse e ka bërë vrasjen pa dashje ka qenë i dënuar nga pushteti i atëherhëm. Dëshmitarët e kanë raportuar një konflikt të vjetër ndërmjet vrasësist dhe të vrarit para aksidentit në dasmë.

Kjo gjë më duket e palogjikshme dhe absurde : Pse anëtarët e familjes sime e kanë ftuar në dasmë atë që ka shtënë me pushkë kur paskan pasur zënkë me të përpara?

Vrasësi ka vdekur në burg duke e lënë një djalë. Te afërmit e vrasësit - xhaxhallarët e kushërinjtë e parë - janë shpërnguluar ose kanë dalë jashtë vendit gradualisht, ndoshta për të evituar gjakmarrjen. Erdhi komunizmi dhe u bë vështirë për familjen time të kërcënojë të birin e vrasësit. Në kohën e demokracisë, i biri i vrasësit vdiq, duke i lënë tri vajza dhe një djalë të posalindur që quhet Ilir. Iliri është nipi, do të thotë i biri i të birit të vrasësit.

Kam qenë në shkollë me vajzën e madhe të familjes, me motrën e madhe të Ilirit. Gjithashtu e kam parë edhe Ilirin fëmijë. Në atë kohë, kurrë nuk më ka shkuar mendja se demokracia po e priste në shteg për ta vrarë. Kurrë nuk më ka shkuar mendja se një anëtar i familjes sime ishte duke përgatitur me vite të tëra një krim me paramendim nën pretekstin e Kanunit.

Mu kur u ktheva në Shqipëri nga studimet, xhaxhai i babait tim e mori vendimin ta fillonte gjakmarrjen. E zgjodhi një plak tjetër (një analfabet të rangut të tij, kuptohet) dhe e çoi te Iliri për t’i dhënë besë një muaj. Çfarë zemërgjerësie! - thashë me vete. Këtu e kuptova kuptimin e vërtetë të fjalës “besë”. Deri atëherë, ajo fjalë me dukej e bukur.

Pas një muaji, Iliri qe i detyruar të linte shkollën dhe të mbyllej sepse kërcenohej me vdekje.

Kur ia tregova Sofies këtë rast, ajo më kërkoi falje që insistoi për dasmën dhe më siguroi se kurrë më nuk do ta përmendte para meje fjalën “dasmë” në asnjë gjuhë.

Të nesërmen shkuam te prindërit e saj. I ati i informuar për situatën më tha : “Sa mirë që nuk do ta bëni atë tollovinë, ate festën e martesës! Unë mendoj se ajo ceremoni nuk është fare e nevojshme që çifti të jetë i lumtur.”

Më vonë, pa i thënë askujt, Sofia dhe unë shkuam dhe u martuam. Sofia kishte si dëshmitare një kolege të punës ndërsa unë e kisha dëshmitar bashkatdhetarin i cili ma kishte përkthyer në frëngjisht videon e kuvendit të burrave.

Pas formaliteteve, meqë ishte koha e drekës shkuam të gjithë së bashku në një qendër tregtare ku kishte restaurante me ushqime të shpejta apo “fast food” siç thuhet në anglisht. Mua nuk më hiqej nga mendja Iliri i mbyllur në Shqipëri. E ndjeja veten keq se ishte i kërcënuar padrejtësisht nga familja ime. Gjatë tërë drekës fola për të.

Dëshmitari im më tregoi një poezi me titull “Ku është Iliri ?” që e kishte shkruar për çunin e pafajshëm i cili nuk mund të shkonte në shkollë. Ato vargje i kam dëgjuar më vonë të kënduara në YouTube.

Disa muaj pas martesës, Sofia dhe unë shkuam së bashku në immigracion të ftuar në takimin e finalizimit të statusit tim. Kur e pa oficerja se kishim studjuar së bashku në Amerike as që na pyeti se a kishim bërë dasmë apo jo.

Kështu ajo ceremonia badallake e martesës (e kodifikuar në Kanun, që i ka varfëruar celulat e reja familjare shqiptare që në formimin e tyre dhe ka qënë rast filimesht të konflikteve të pafund) nuk qe fare e novojshme për neve si çift.

Për të vërtetuar saktësinë e citateve të Kanunit në këtë shkrim, shkoni në adressën :

http://kanuniilekedukagjinit.blogspot.com

vendredi 20 novembre 2009

Kanuni… i Lekë Dukagjinit ?!

*
4. Kanuni... i Lekë Dukagjinit ?!


A është libri me titull « Kanuni i Lekë Dukagjinit » një kanun i Lekë Dukagjinit?

Gjatë leximit të Kanunit: http://www.kanuniilekedukagjinit.blogspot.com/ nëse jeni sadopak kritik dhe i shikoni rrethanat e përshkruara, botimin e veprës, e tjera…ndoshta mund t’ia bëni vetës pyetjen: A është e drejtë që ky Kanun të quhet “Kanuni i Lekë Dukagjinit” apo jo?

Përgjijga në këtë pyetje mund të trajtohet në tri aspekte: afirmative, me rezervë dhe negative.

Së pari, të shohim përgjigjen afirmative. Nuk mund të mohohet fakti se përmbledhja e folklorit nga At Shtjefën Gjeçovi e botuar në vitin 1933 (katër vite pas vdekjes së autorit Gjeçovi) e mban titullin “Kanuni i Lekë Dukagjinit.” Dihet se titulli ka influencë të madhe për të paragjykuar një libër. Pra, kështu e ka titullin një libër, parathënien e së cilës e ka shkruar At Gjergj Fishta. Këto fakte janë të pamohueshme.

Së dyti, sa i përket aspektit të vënies në dyshim të kësaj teze, vetë Gjergj Fishta në parathënien e tij i lë historisë të konfirmojë se a është kanuni i Lekë Dukagjinit apo jo. Ja një citat nga parathënia: “Por pse i thonë: i Lekë Dukagjinit? qe nji çashtje e cilla enè nuk âsht zhvillue krejt mirë e me sugurí të plotë. Nji palë thonë, se quhet i Lekë Dukagjinit, per arsye qi ky Leka e paska mledhë e kodifikue i pari. Ktij mendimi duket se ká kêne edhè Dr. Milan Šufflay, i cilli ne librin e vet «Serbtë edhè Shqyptarët» (perkthye prej slavishtes) thotë në faqe 90 – «Gojdhâna, mbas së cillës këto zakone ligjare të quejtuna me êmnin «Kanuni i Lekës», âsht në lidhje me Lekën III. Dukagjinin» (1459-1479).”

Kështu, akademiku shqiptar Fishta e përfundon parathënien e tij : “Per ket punë thonë nji palë, se Kanuni quhet i Lekë Dukagjinit, jo pse ká kênë kodifikue prej Lekë Dukagjinit, por pse ká kên zbatue nder «Lekë» e «Dukagjin»; pra: «Kanuni Lekë-Dukagjin», e jo i «Lekë Dukagjinit». Kto çashtje tash i zhvillon me kohë historija.”

Së treti, sa i përket përgjgjes negative, me një fjalë, libri që quhet “Kanuni i Lekë Dukagjinit” nuk ka qenë i kodifikuar nga Lekë Dukagjinit, mund të kalojmë në aspektin historik e shkencor. T’i marrim si analizë tri fjalë nga kanuni: “duhani”, “kafja” dhe “pushka.” Këto tri fjalë emërojnë tri prodhime në Kanun sikur të ishin ato në kulmin e përdorimit të tyre. E vërteta është se këto produkte kanë arritur në trojet shqiptare, Ballkan ose Evropë shumë vjet pas vdekjes së Lekë Dukagjinit.

T’i shohim tri fjalët:

Fjala “DUHAN” (duhàn). Edhepse nuk kam parë shumë kushtetuta e ligje në botë që kodifikojnë pirjen e duhanit (tani ka filluar të ndalohet konsumimi i tij në nvende publike) ajo që më intereson këtu është termi i cili përdoret në Kanun. Princi Lekë Dukagjini ka vdekur në vitin 1459 ndërsa Kristof Kolomboja e ka parë për herë të parë duhanin kur ka shkuar në Amerikë në vitin 1492, pra 33 vite më pas. Imagjinoni sa kohë është dashur që të komercializohet duhani në Evropë e në Shqipëri!!!

U përpoqa ta numëroj fjalën “KAFE” në Kanun dhe qëllova në të së paku 16 herë. Ju jap një citat nga Wikipedia në anglisht dhe në frengjisht. “Në vitin 1583, një mjek gjerman, Leonhard Rauwolf, pasi u kthye nga një udhetim 10 vjetësh nga Lindja e Mesme, ishte evriopani i parë që foli për kafen… » Pra, vëtëm është folur për kafen në Evropë 122 vite pas vdekjes së princit Lekë Dukagjini. Imagjinoni sa kohë është dashur që të komercializohet kafja në Evropë e në Shqipëri!!!

I gjithë Kanuni, një përmbledhje folklori nga Gjeçovi, përbën një libër të vogël prej 106 faqesh. Ka rreth 41 500 fjalë. Fjala me origjinë sllave “PUSHKË” përdoret në Kanun së paku 79 herë. A u ngjan kjo gjë ligjeve tjera në botë?... Nuk është tema këtu. Këtu duam të analizojmë atë që vijon: A ka pasur pushkë në kohën e Lekë Dukagjinit, ku në të gjitha imazhet e shohim bashkëkohasin e tij, Gjergj Kastriti Skënderbeun, me shpatë në dorë e jo me pushkë në dorë?

Ka gjurmë në histori se pushka ka pasur disa forma primitive që nga shekulli i 17-të por formën e asaj “grykhollës” që përshkruhet në Kanun, që bartet mby supe e varet, e tjera... nuk e ka pasur para shekullit të 19 të, mëse tre shekuj pas vdekjes së Lekë Dukagjinit. Imagjinoni sa shumë ka dhënë kontribut Kanuni të komercializohet pushka (e të nxitet krimi e konfliktet) në trojet Shqiptare duke përdorur strategji komerciale të nivelit të ulët dhe duke e keqpëddorur emrin e princit Lekë Dukagjini!!!

Unë mendoj se përmbledhja e folklorit në lidhje me zakonet dhe traditat nga Gjeçovi është konribut i madh për popullin shqiptar sepse, i shkruar, Kanuni çmitizohet dhe mund të analizohet, siç po bëj unë tani. Jam i sigurt se pasi ta lexoni, edhe ju do të keni një botëkuptim tjetër për Kanunin. I kam bërë shumë herë pyetjen vetes se po të kishte qenë gjallë Gjeçovi kur është botuar Kanuni (4 vjet pas vdekjes së tij) a do të kishte pranuar që t’i vihet në titull emri i princit të kohës së Skënderbeut?

Titulli “Kanuni i Lekë Dukagjinit” i vënë në një përmbledhjeje folklori që është kodifikuar, pra që ka marrë formën e ligjit (formë e cila e bën kodin më sharlatan në botë dhe e turpëron tërë popullin shqiptar në botë) është mungesë e respektit ndaj Lekë Dukagjinit dhe nënçmin i gjykimit dhe intelegjencës së të gjithë shqiptarëve të alfabetizuar.


Më në fund, meqë ra fjala tek flalët, një nga fjalë më të përmendura në Kanun është edhe termi “GJAK” (në kutimin “gjakderdhje”, “vrasje”,“krim...”) Shkoni në adresën http://www.kanuniilekedukagjinit.blogspot.com/ dhe numërojeni atë fjalë ose bëni kërkime tjera sipas dëshirës dhe imagjinatës suaj.

mercredi 18 novembre 2009

“Prilli i thyer” në frëngjisht: Një gabim përkthimi ose pikpamjeje?

*
3. "Prilli i thyer" në frëngjisht: Një gabim përkthimi ose pikpamjeje?

Nusja ime, Sophie Savard-Uka, i ka në bibliotekë dhe i ka lexuar të gjitha librat e Ismail Kadaresë të cilat janë të përkthyera në frëngjisht. Para ca ditësh, më foli për mikpritjen shqiptare duke e quajtur atë si tipar pozitif mbarëjerëzor i cili futet në kategorinë e zemërgjerësisë dhe të lëmoshës… së moralit të ndonjë feje…

Unë i thashë duke qeshur se po qe në Kanun (e dija se ishte në Kanun!) fenomeni i mikpriktjes nuk mund të jetë pozitiv as për shqiptarët as për njerëzimin.

Sofia u ngrit dhe e mori në raftin e sallonit romanin “Prilli i thyer” të përkthyer në frëngjisht nga Jusuf Vrioni (Avril Brisé, Fayard,1982.) Filloi ta shfletonjë dhe u ndal në faqen 86. E preku citatin: « La maison de l’Albanais est la demeure de Dieu et de l’hôte. »

Menjëherë e kuptova se përkthimi ishte i shtrembëruar: Thuhej disi: « Shtëpia e shqiptarit është e Zotit dhe e të zotit. » Thënë kështu, shprehja duket qesharake në shqip. Fjala frënge « hôte » e ka kuptimin « mikpritës », « dikush që pret njërëz në shtëpi ». Pra përkthimi e ka afërsisht kuptimin që vijon: « Shtëpia e shqiptarit është e Zotit dhe e mikpritësit.»

Ta shohim tani ku është problemi. Sa i përket Zotit, nëse shtëpia e shqiptarit është e Zotit, edhe shtëpia e francezit, amerikanit, gjermanit…është e Zotit…edhe gjethet janë të Zotit, edhe qimet janë të Zotit edhe qelizat janë të zotit...

Problemi këtu nuk është te Zoti por te miku. Mendoj se nuk ka gjë të keqe të jetë njeriu mikpritës kur nuk i prishet rehatija dhe konforti në shtëpi, kur vizita bëhet me paramendim, planifikim e pëlqim të shtëpiakut. Fundi i fundit, njeriu është qënie shoqërore, ka nevojë të shkojë në vizitë dhe të presë.

Por, në Kanun, miku dhe mikpritja kanë një dimension të veçantë. Në paragrafin 602 të Kanunit thuhet : "Shpija e Shqiptarit asht e Zotit dhe e mikut".

Nuk e vë në dyshim këtu përkthimin e Jusuf Vrionit por jam i bindur se stafi botues e ka modifikuar atë fjali sepse në kuptimin që ka ai "ligj" në shqip, nuk ka asnjë kuptim në frëngjisht. Në të kundërtën një pohim i tillë do të ishte joligjor në frëngjisht. Në një shoqëri të civilizuar, shtëpia është një hapsirë padhunueshme dhe u përket atyre që jetojnë në të. Ata që jetojnë aty mund të çlodhen, të shijojnë lumturinë familjare, intimitetitn e tjera.

Sipas këtij citati të Kanunit, shtëpia i përket të huajit. Jam i bindur se ky ligj apo kjo traditë ka krijuar një psikologji shumë të çoroditur në shoqërinë shqiptare siç është mosrespekti i pasurisë dhe jetës së tjetrit. Fatkeqësisht, nuk është i vetmi ligj në Kanun i këtij lloji.

Si në të gjitha shkrimet tjera të shkurtëra, edhe kësaj here, ju ftoj ta vërtetoni paragrafin 602 të Kanunit në adresën : http://www.kanuniilekedukagjinit.blogspot.com/ .

lundi 16 novembre 2009

Kanuni është shumë interesant për lexim

*
2. Kanuni është shumë interesant për lexim


E kam botuar Kanunin në adresën http://www.kanuniilekedukagjinit.blogspot.com/ me qëllim që ta lexojnë sa më shumë shqiptarë. Leximi i këtij libri është shumë i mirë për shëndetin mental kombëtar.

Mund t’ju siguroj se është një vepër shumë interesante dhe gjithashtu argëtuese për lexim. Do t’i përjetoni të gjitha emocionet. Do të ndiheni intelektual, do të keni dëshirë të bëni hulumtime, do të qeshni, ndoshta do të qani, ndoshta do të hidhëroheni... Shkurt e shqip, pas leximit të Kanunit do ta ndieni veten sikur në momentin kur dilni nga një film i mjeshtrisë së përsosur.

Kanuni është një vepër e shkurtër prej 106 faqesh në botimin origjinal. Paraprihet nga parathënia e çmuar dhe shumë domethënëse (tupani bie për ata që kanë veshë !) e akamikut at Gjergj Fishta, për të cilin kam respektin më të madh. Ndahet në 12 libra, 24 seksione (krye), 199 nene dhe 1263 paragrafe (§.1263).

Mënyra më e mirë, sipas meje, për t’u orientuar gjatë leximit është t’i ndiqni paragrafet. Meqë unë e kam botuar të tërin në një faqe, nëse e nderpreni leximin, mund ta shënoni numrin e paragrafit dhe, kur të ktheheni, të vazhdoni aty ku e keni lënë.

Nëse e lexoni të tërin përnjehërë, duke i pushuar ngapak sytë ose për të menduar pak me gishtin tregues në ballë, nuk ju duhen më shumë se dy orë.

Këtu poshtë do t’ju jap disa citate të identifikuara me numrin e artikullit. Sicilit citat do t’ia shtoj një koment personal. Me komentin personal, nuk dua të mendoj për juve por qëllimi im është t’nxis që :

Së pari, ta lexoni edhe ju Kanunin
Së dyti, ta formuloni edhe ju komentin tuaj.



§.63. Tagri i Parbinis ( i dialit të parë).
d) Me kênë derë Vojvodet, djalit të parë të vllaut të parë i perket prîja,

Pika d) e paragrafit 63, ju shtyn të mendoni, të bëheni intelektual, kërkimtar. Doni të dini çka është Vojvoda. Bëni kërkime në Google. "Vojvodë" është një term me origjinë sllave që cilëson në radhë të parë një komandant të një krahine ushtarake. Është derivat i sllavishtes: Voj (ushtri) dhe Voda (udhëheqës). Pra, Vojvoda është udhëheqës ushtarak serb. Shesheli, i cili ndodhet në Hagë duke u gjykuar për krime lufte, e ka fituar titullin Vojvodë nga çetnikët serbë. Bëni pyetjen : Çka kërkon vojvoda në kushtetutën apo librin e shenjtë shqiptar ?



§.108. Baba edhè në mos pasët djelm, nuk mundet me u lânë bijave as tokë, as plâng, as shpi.

Kjo thënie i vë në kundërshtim me Kanunin, në radhë të parë gjysmën e shqiptarëve, do të thotë të gjitha femrat. Sot femra shqiptare di të mendojë me kokën e vet dhe nuk mund t’ia shesësh për interesante atë që nuk është në interesin e saj. Pastaj, më ketë thënie nuk pajtohen të gjithë ata që kanë logjikë, të gjithë ata që kanë nëna, të gjithë ata që kanë motra, të gjithë ata që kanë bija…Kush mbetet? Kush pajtohet me këtë ligj të kanunit? Jashtëtokësorët?



§.135. Thirre e, s't'u pergjegj kush, a rrî e prit, a nisu në pûnë tande.

Ky është një nga ligjet më demokratike të Kanunit: Të gjithë shqiptarët duhet ta duartrokasin. Do të thotë, po deshe bëje një gjë, po deshe mos e bëj. Po qe buzë liqenit, po deshe xhvishu e kërce në ujë, po deshe shiko pak valët dhe kthehu në shtëpi...



§.499. Kanûja e malevet nuk njef uhà me shtojca fitimesh (Fajde).

Ky ligj përkujton ligjin e librin e shenjtë që dominon shtetet arabe. Kam pasur disa kolegë në universitet në Amerikë nga ato shtete të cilët qaheshin se kjo dogmë i pengon të zhvillohen ekonomikisht. Unë nuk thoja asgjë... por, do të mund të qahesha edhe unë me Kanunin. Shpresoj se nuk e rrespekton kush Kanunin në ditët tona!


§.520. Gjuha âsht tulit e gjithshka bluen.

Pasi e kam lexuar këtë nen, e kam kuptuar pse të gjithë ...gënjejnë, arësye e pa arësyre, të rinjtë, pleqtë, stërpleqtë... A keni takuar ndonjëherë në jetë një shqiptar që nuk gënjen? Ah?


Shikoni mirë tani. As mos qeshni, as mos qani:

Këto sjellje duken si lojë, porsé kàn shkaktue vrasë të pergjegjme shi në trevezë.
§.660. Kafen e mêrr miku, mandej i zoti i shpis.
§.661. Duert në treveze i làn i zoti i shpis, mandej miku.
§.662. Goten e rakis e pin i zoti i shpis e të dyten miku,
§.663. Kashaten e nyjen miku, mandej i zoti i shpis.
§.664. Aj zot shpije, qi e njyete kashaten perpara mikut, late 500 grosh giobë.

A keni nevoje për komente apo nuk keni nevojë...për komente!? Ma merr mendja se duhet të dalë një shqiptare apo një shqiptar (që ka dëshirë e interes ta tërheqë vëmendjen para opinionit botëror) ta fusë Kanunin në librin Guinness si kushtetutën më të çuditshme në botë. Të fillojë gjakmarrja e të vazhdojë me gjenerata për arësye se nuk e filloi ai që duhet gotën e rakisë apo nuk e ngjeu ai që duhet kafshatën i pari!… Nuk pot them asgjë... Të gjitha pretekstet janë të mira për të filluar konflikti. Pse? Sepse konflikti shpiente në vrasje e vrasja në një vrasje tjetër. Pra çdo pagesë gjobës derës së…duhej të fillonte me një konflikt.

§.1258. Grueja e vêjë nuk mùnd të gatuej në darsem, as nuk mùnd të qesë ujë duervet, as raki, as me thye bukë, as me veshë e me iu afrue nuses.

Nuk e di se a pajtohni me mua por ky paragraf "ligji" duket më shumë bestytni sesa ligj. Në studimet universitare dhe pasuniversitare në administrim biznesi ka shumë lendë të drejtësisë. Kështu, kam qenë i detyruar të lexoj shumë ligje, i kam lexuar kushtetutat e të gjitha shteteve të botës. Askund në botë nuk quhen ligje as nuk kodifikohen si ligje disa gjëra, disa bestytni, disa… si në Kanunin tonë të dashur.

Shpresoj se ua kam dhenë sadopak shijen ta lexoni Kanunin. E kam përgatitur për juve. Ju përkujtoj adresën :

http://www.kanuniilekedukagjinit.blogspot.com/

dimanche 15 novembre 2009

Shko në Shqipëri dhe bleje një grua !

*

1. Shko në Shqipëri dhe bleje një grua !

Kam studjuar në Amerike në degën e administrimit të biznesit. Njëherë isha në një mbrëmje të organizuar nga universiteti me një kolege kanadeze (Sophie Savard) e cila më vonë u bë gruaja ime. Nuk dua ta lavdëroj këtu por është shumë e dukshme, sportive dhe tërheqëse si femër. Gjatë festës na u bashkangjit në tavolinë një student (si neve) jugosllav.

Sa vazhdonte mbrëmja dhe pirja, vëreja se jugosllavi s’ia ndante sytë shoqes sime. Kur e vërejti Sofia këtë gjë, ma vuri dorën në krah për t’i bërë të ditur se ishim bashkë. Jugosllavi sikur u zhgënjye dhe më tha në anglisht:

- Pse nuk shkon në vendin tënd, në Shqipëri, të blesh një grua ?

Unë nuk ia vura veshin në fillim ndërsa ai vazhdoi me qëllim që ta dëgjonte edhe shoqja ime :

- Gruaja shqiptare të kupton më mirë sesa e huaja sepse ju shqiptarët jeni një popull me zakone të vjetra ? Me dollarë amerikanë, një grua nuk kuston shumë.

Unë u përpoqa ta ndërroj bisedën por jugosllavi nuk m’u nda derisa më tha :

- Shiko në Kanun i ke edhe çmimet për gratë, në monedhën tuaj … në lekë… tregohet edhe sa lekë kushton. .

- Nuk ka më Kanun në Shqipëri, ajo punë ka ndodhur gjatë kohë më parë, si gjakmarrja për shembëll, për të cilën njihet Kanuni – i thashë.

Ai ndërhyri :

- S’është e vërtete, kam parë një emision televiziv për gjakmarrjen që ndodh në ditët tona. Nëse ndodh gjakmarrja sipas Kanunit shiten edhe gratë sipas Kanunit. Nëse ti nuk shkon të blesh një grua në Shqipëri, do të shkoj unë…- më tha duke qeshur.

Në atë kohë, nuk i dhashë shumë rëndësi asaj bisede. Më vonë kur u permend Kanuni në shtëpinë time, në një konflikt që doli në sipërfaqe, m’u kujtua biseda me jugosllavin. Në të vërtetë, ajo bisedë m’u kujtua duke e lexuar Kanunin e Lekë Dukagjnit:


***
NYE I NANDBËMBDHETËT.
Çmimi, qi nepej e nepet per gra.
Çmimi, qi nepej per varza a gra, tash 50 vjetë e andej, perbahej prej 50, 100, 200 mije 400 groshësh.Çmimi i kanus së vonë perbahet prej 1500 groshve, aq sa ban gjaku i grues.
***


E kuptova se jugosllavi kishte të drejtë. Vetëm do ta korrigjoja në një fyçkël : në Kanun nuk flitet për lekun si monedhë, monedha që përmend Kanuni është groshi.

Për ta konstatuar vetë citatin shkoni në adressën : http://kanuniilekedukagjinit.blogspot.com/ . Aty do ta gjeni të botuar Kanunin komplet në një formë shumë të lehtë për ta lexuar. Nëse orientoheni me paragrafe, ky citat ndodhet nëmes paragrafeve §. 44. et §. 45.